Gara jep detaje nga takimi me delagacionin serb: Nuk na i dhanë arkivat me të dhënat për të zhdukurit

Aktuale

Gara jep detaje nga takimi me delagacionin serb: Nuk na i dhanë arkivat me të dhënat për të zhdukurit

Më: 31 janar 2024 Në ora: 19:15
Kushtrim Gara

Sot është mbajtur takimi ndërmjet delegacionit të Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar rreth çështjes së personave të zhdukur.

Takimi është mbajtur në Gjenevë.

Lidhur me mbarëvajtjen e këtij takimi ka dhënë detaje Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit në kuadër të Qeverisë së Kosovës.

Gara tha se pala serbe nuk ka dhënë përgjigje se pse Serbia nuk po i hap arkivat.

Ani pse shtresa është dërguar që nga 1 qershori 2023.

“E rëndësishme është të theksohet që pala serbe nuk ka dhënë përgjigje në lidhje me shkresën tonë për sigurimin e arkivave, e dërguar me 1 Qershor, në zbatim të zotimeve nga Deklarata për Personat e Zhdukur (Deklarata e datës 2 maj 2023 ). Rrjedhimisht as nuk kemi pranuar të dhënat nga arkivat e tyre tashmë të njohura nga Ushtria dhe Policia serbe”, u shpreh Gara.

Gara tha se ky takim ka qenë i rëndësishëm për t’i përsëritur kërkesat për personat e zhdukur gjatë luftës.

Për detaje të tjera që është biseduar po presin konkluzionet e takimit, thotë Gara.

“Takimi ka qenë i nevojshëm për të ripërsëritur kërkesat tona për sigurimin e informatave për fatin dhe vendndodhjen e personave të zhdukur me forcë, dhe për lokacionet e radhës në territorin e Serbisë. Pas këtij takimi, po presim që të përfundojnë konkluzionet e takimit, të cilat na dërgohen për shqyrtim”, është shprehur Gara.

Ai thotë se presin nga shteti serb reflektim për caktimin e datave për lokacionet në territorin e Serbisë.

“Krahas planit tonë për ditët në vijim, kemi paraqitur kërkesat tona për lokacionet në territorin e Serbisë. Presim dhe është shumë e rëndësishme të ketë reflektim nga pala serbe në kuptim të caktimit të datave për lokacionet në territorin e Serbisë.

Është mëse e rëndësishme që edhe procedurat e rregullat mbi bazën e të cilave funksionon ky mekanizëm të përditësohen dhe të përshtaten me zhvillimet e rëndësishme nga dialogu në Bruksel, duke iu referuar marrëveshjeve të arritura gjatë vitit të kaluar”, ka përfunduar Gara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat