Protestat pro-palestineze shtojnë presionin mbi Bidenin

Bota

Protestat pro-palestineze shtojnë presionin mbi Bidenin

Më: 7 maj 2024 Në ora: 00:16
Foto ilustrim

Një shpërthim protestash pro-palestineze dhe përleshje me forcat e zbatimit të ligjit në kampuset e kolegjeve amerikane ka ndikuar që të ketë mospajtime edhe mes diplomatëve që përpiqen të ndërmjetësojnë një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit në Lindjen e Mesme.

E thuhet se këto zhvillime po e vendosin presidentin e SHBA-së, Joe Biden, në një pozitë jo fort të mirë.

Kjo pasi ai gjendet mes të një krahu të majtë që kërkon paqe dhe mes amerikanëve të shqetësuar se trazirat po e prishin arsimin universitar dhe po përbëjnë kërcënim për rendin.

Një mesazh në tendë në një kamp refugjatësh në Rafah të Gazës, tregonte saktësisht se sa larg kanë udhëtuar fjalët e protestave të fundit në SHBA.

“Faleminderit studentë”, shkruhet në të. “Faleminderit. Faleminderit. Faleminderit”.

Edhe tenda të tjera kishin mesazhe të ngjashme mirënjohjeje dhe solidariteti, shkruan BBC, përcjell Telegrafi.

Ndërkohë, policia amerikane gjatë javëve të fundit ka arrestuar më shumë se 2,000 protestues në dhjetëra kampuse të kolegjeve.

E trazirat vijnë në një moment të tensionuar në luftën e Gazës, ku Forcat izraelite të Mbrojtjes (IDF) duket se po përgatiten për një operacion masiv ushtarak në Rafah, një strehë për më shumë se një milion civilë.

Ndërkohë, SHBA-ja po i shtyn izraelitët dhe Hamasin që të bien dakord për një armëpushim që do të zgjasë disa javë dhe do të përfshijë lirimin e pengjeve izraelite të mbajtura nga Hamasi.

Së fundmi, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken e ka përfunduar udhëtimin e tij në Lindjen e Mesme, i shtati që nga fillimi i luftës, në një përpjekje për të parandaluar operacionin në Rafah.

Siç raportohet, gjatë negociatave të fundit izraelitët kanë bërë disa lëshime të rëndësishme duke rënë dakord për një marrëveshje.

Gjithashtu, edhe Hamasi së fundmi ka deklaruar se pajtohet me marrëveshjen për një armëpushim, gjë që izraelitët po e cilësojnë si mashtrim.

Çdo shenjë përparimi drejt një paqeje të mundshme është lajm i mirëpritur për qeverinë e Bidenit i cili po vihet nën presion për të ndaluar gjakderdhjen dhe vuajtjet në Gazë.

Për muaj të tërë, presidenti i ka rezistuar thirrjeve nga e majta Demokratike për t’u larguar nga mbështetja e tij e zëshme për Izraelin.

Ai vazhdoi ta mbështeste Izraelin pavarësisht rrezikut të qartë politik dhe pavarësisht kritikave.

Kundërshtimet e zëshme për mbështetjen e Izraelit nga e majta e vendit kanë qenë temë e përsëritur që nga fillimi i luftës.

Ajo që është e re tani dhe potencialisht më e ndërlikuar, është presioni nga e djathta dhe qendra shkaku i dominimit të trazirave në kampuse.

Ndryshe, ish-presidenti Donald Trump, i quajti protestuesit “të çmendur dhe simpatizues të Hamasit”.

“Unë them të heqim menjëherë kampet, të mposhtim radikalët dhe të marrim kampuset tona për të gjithë studentët normalë që duan një vend të sigurt ku të mësojnë,” tha Trump.

Menjëherë pas deklaratave të Trump, Biden e bëri një paraqitje nga Shtëpia e Bardhë për të dënuar atë që ai tha se është e paligjshme, duke përfshirë vandalizmin, shkeljen dhe ndërprerjen e aktiviteteve universitare.

“Ne jemi një shoqëri civile dhe rendi duhet të mbizotërojë”, tha Biden.

Kur presidenti e mbaroi paraqitjen, u pyet nga gazetarët nëse protestat e kishin bërë atë të rishqyrtonte politikat e tij në Lindjen e Mesme.

Përgjigja e tij ishte e shkurtë: “Jo”.

Por, me afrimin e sezonit të diplomimit, me sa duket një raund i ri protestash është në horizont.

Siç raportohet, së shpejti presidenti do të vizitojë kolegjin Morehouse të Atlantës, ku administratorët po shprehin shqetësime për sigurinë e kampusit.

E një armëpushim në Gazë thuhet t’i jap Shtëpisë së Bardhë “pak hapësirë për frymëmarrje”.

Megjithatë, mund të duhet një lloj paqeje e përhershme për t’i larguar shqetësimet në Lindje të Mesme dhe më gjerë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat