LIVE: Rusia nis stërvitjet me armë bërthamore – Ukraina godet këtë qytet rus, shtatë të vdekur

Evropë

LIVE: Rusia nis stërvitjet me armë bërthamore – Ukraina godet këtë qytet rus, shtatë të vdekur

Nga: Bota sot Më: 6 maj 2024 Në ora: 06:24 Përditësuar në ora: 16:24 më 06.05.2024
Foto ilustrim

Rusia, stërvitje me armë bërthamore pas shkëmbimeve të ashpra me zyrtarë perëndimorë

Rusia planifikon të mbajë manovra që simulojnë përdorimin e armëve bërthamore në fushëbetejë, njoftoi të hënën Ministria ruse e Mbrojtjes, disa ditë pasi Kremlini reagoi me zemërim ndaj komenteve të zyrtarëve të lartë perëndimorë për luftën në Ukrainë. Disa ditë më parë, Moska gjithashtu paralajmëroi për një përshkallëzim të tensioneve me Perëndimin.

Stërvitjet janë në përgjigje të “deklaratave provokuese dhe kërcënimeve të disa zyrtarëve perëndimorë ndaj Federatës Ruse”, tha Ministria ruse e Mbrojtjes përmes një deklarate.

Kjo është hera e parë që Rusia njofton publikisht stërvitje që përfshijnë armë bërthamore taktike, megjithëse forcat e saj bërthamore bëjnë rregullisht stërvitje. Armët taktike bërthamore përfshijnë bomba ajrore, raketa bërthamore me rreze të shkurtër veprimi dhe municion artilerie për përdorim në fushëbetejë. Ato janë më pak të fuqishme se raketat balistike ndërkontinentale me mbushje bërthamore, që mund të shkatërrojnë qytete të tëra.

Njoftimi rus dukej se ishte një paralajmërim për aleatët perëndimorë të Ukrainës që të mos përfshihen më thellë në luftën mbi dyvjeçare. Disa nga partnerët perëndimorë të Ukrainës kanë shprehur më parë shqetësimin për përshkallëzimin e konfliktit mes frikës se ai mund të përhapet përtej Ukrainës, duke çuar në një konfrontim të drejtpërdrejtë mes NATO-s dhe Rusisë.

Presidenti francez Emmanuel Macron përsëriti javën e kaluar se ai nuk përjashton mundësinë e dërgimit të trupave në Ukrainë dhe Sekretari i Jashtëm britanik David Cameron tha se forcat e Kievit do të jenë në gjendje të përdorin armët britanike me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva brenda Rusisë. Disa vende të tjera të NATO-s që e furnizojnë Kievin me armë e kanë kundërshtuar këtë.

Kremlini i cilësoi ato komente të rrezikshme, që përshkallëzojnë tensionet mes Rusisë dhe NATO-s. Lufta tashmë ka tendosur marrëdhëniet mes Moskës dhe Perëndimit.

Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha të hënën se deklarata e fundit e presidentit Macron dhe komentet e tjera nga zyrtarët britanikë dhe amerikanë kishin nxitur stërvitjet bërthamore.

“Është një raund i ri përshkallëzimi”, tha zoti Peskov, duke iu referuar komenteve që Kremlini i konsideroi si deklarata provokuese. “Këto janë komente të pashembullta dhe kërkojnë vëmendje të veçantë dhe masa të veçanta”, tha zoti Peskov për gazetarët.

Dmitry Medvedev, nënkryetar i Këshillit të Sigurisë në Rusi, i cili kryesohet nga Presidenti Vladimir Putin, tha në mënyrën e tij tipike arrogante se komentet e presidentit Macron dhe zotit Cameron rrezikonin ta shtynin botën e armatosur me armë bërthamore drejt një "katastrofe globale".

Kjo nuk është hera e parë që mbështetja ushtarake e Evropës për Ukrainën acaron autoritetet ruse dhe shkakton kërcënime për përdorim të armëve bërthamore. Në mars të vitit të kaluar, pas vendimit të qeverisë britanike për të furnizuar Ukrainën me predha me uranium të varfëruar, që përdoren kundër automjeteve të blinduara, presidenti rus Putin njoftoi se synon të vendosë armë taktike bërthamore në territorin e Bjellorusisë.

Ministria ruse e mbrojtjes tha se stërvitja ka për qëllim "të rrisë gatishmërinë e forcave bërthamore jostrategjike për të përmbushur detyrat luftarake" dhe do të mbahet me urdhër të Presidentit Putin. Në këtë stërvitje do të marrin pjesë njësia e raketave e Qarkut Ushtarak Jugor, forcat ajrore dhe ato detare, thuhet në deklaratën e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.

Zyrtarët perëndimorë kanë akuzuar Rusinë se përmes veprimeve të saj provokuese ajo po kërcënon përhapjen e luftës. Vendet e NATO-s thanë javën e kaluar se janë thellësisht të shqetësuara nga një fushatë aktivitetesh hibride në territorin e aleancës ushtarake të organizuara nga Rusia, duke thënë se ato përbëjnë një kërcënim ndaj sigurisë së tyre.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dimitry Peskov i hodhi poshtë këto pretendime, duke i konsideruar "akuza të reja të pabaza të ngritura ndaj vendit tonë".

Ndërkohë, dronët ukrainas goditën dy automjete të hënën në rajonin rus të Belgorodit, duke vrarë gjashtë persona dhe duke plagosur 35 të tjerë, përfshirë dy fëmijë, thanë autoritetet lokale. Kjo zonë është goditur shpesh nga forcat ukrainase në muajt e fundit.

Një nga automjetet e goditura ishte një autobus i vogël, që po transportonte punonjës të një ferme, tha guvernatori i Belgorodit Vyacheslav Gladkov.

Nuk kishte detaje të tjera menjëherë pas sulmit dhe nuk ishte e mundur të konfirmohej në mënyrë të pavarur raporti nga ky rajon kufitar.

Ndërsa ushtria e Ukrainës është kryesisht e përqendruar në vijën e frontit 1000 kilometra të gjatë për shkak të mungesës së trupave dhe municioneve pas më shumë se dy vjet luftimesh, ajo ka përdorur armët e saj me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva brenda Rusisë. Qëllimi i tyre është dëmtimi i sistemit logjistik luftarak të Rusisë përmes goditjes së rafinerive dhe rezervave të naftës dhe kërcënimi i sigurisë në rajonet kufitare ruse.

Rajoni i Belgorodit u përdor nga Rusia për të filluar sulmin në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022. Ai ka qenë në shënjestër të sulmeve që kur forcat ruse u tërhoqën atje nga Ukraina verilindore në fillim të luftës pas një kundërofensive nga Kievi.

Rusia është mbështetur gjithashtu shumë në raketa me rreze të gjatë veprimi, artileri dhe dron për të shkaktuar dëme në Ukrainë.

Në fund të vitit të kaluar, zyrtarët e Belgorodit thanë se 25 njerëz u vranë, duke përfshirë pesë fëmijë, dhe më shumë se 100 u plagosën në një sulm ukrainas, dhe sulmet e rregullta me raketa dhe dron kanë vazhduar që atëherë.

Gjithashtu, ushtria ruse po vazhdon bombardimet ndaj rrjetit elektrik të Ukrainës. Të dielën, Rusia ndërmori një sulm me dron ndaj infrastrukturës energjetike në rajonin verior të Ukrainës, Sumy. Shumë qytete dhe fshatra në rajon, përfshirë qytetin Sumy, mbetën pa energji elektrike si pasojë e sulmit, thanë autoritetet rajonale.

Rusia sulmoi objektivat ukrainase me 13 dronë “Shahed”, 12 prej të cilëve u shkatërruan në rajonin Sumy, thanë forcat ajrore të Ukrainës përmes një deklarate./VOA

Shtatë të vdekur nga sulmi me dronë ukrainas në Belgorod të Rusisë

Shtatë persona janë vrarë dhe 35 janë plagosur në një sulm ajror në Belgorod të Rusisë, në kufi me Ukrainën.

Guvernatori rajonal, Vyacheslav Gladkov, tha se sulmi u krye me dronë nga forcat ukrainase.

Gladkov theksoi se edhe shumë lokacione tjera në Belgorod kanë qenë nën sulm 24 orët e fundit.

Siç raportohet, rajoni i Belgorodit shpesh është shënjestruar nga forcat ukrainase që nga fillimi i pushtimit të plotë rus në Ukrainë në vitin 2022, shkruan BBC.

Sulmi më vdekjeprurës ka ndodhur në dhjetor, kur dronët dhe raketat ukrainase lanë të vdekur 25 rusë dhe plagosën 100 të tjerë.

Ndërkohë, Rusia ka vazhduar të synojë infrastrukturën energjetike të Ukrainës duke lënë më shumë se 400 mijë njerëz pa energji elektrike.

Ndryshe, sipas Institutit për Studimin e Luftës (ISW) me bazë në SHBA, Rusia po grumbullon trupa në rajonet e Belgorodit, Kurskit dhe Bryanskit, në përgatitje për një operacion sulmues kundër verilindjes së Ukrainës dhe Kharkivit.

Se Rusia prej kohësh po përgatitet të nisë një sulm në Kharkiv kanë paralajmëruar prej kohësh edhe zyrtarët ukrainas.

Por, me anë të ndihmave ushtarake të aleatëve të saj, Ukraina po avancon gjithnjë e më shumë në vijën e frontit dhe thuhet se do të ketë aftësi të nisë një kundërofensivë ndaj rusëve.

Rusia po planifikon sulme të befasishme, zbulohet komploti i Kremlinit

Evropa është në rrethin e kuq të Rusisë. Alarmi vjen nga agjencitë kryesore të inteligjencës të kontinentit, sipas të cilave Moska planifikon të nisë akte të dhunshme sabotazhi në të gjithë rajonin. 007-at e tre vendeve të paidentifikuara nuk duket se kanë dyshime, ndaj dhe duket se kanë informuar qeveritë e ndryshme për një plan të supozuar të Kremlinit.

Konkretisht, Federata Ruse thuhet se po përgatitet të kryejë veprime të tilla si bombardime sekrete, sulme zjarrvënieje dhe dëmtime të infrastrukturës në tokën evropiane, drejtpërdrejt dhe përmes përfaqësuesve, me pak shqetësim për shkaktimin e viktimave civile. Lajmi është bërë i ditur nga “Financial Times”.

Burimet e intervistuara nga gazeta britanike pohojnë se Rusia ka filluar përgatitjet për të kryer sabotime të shumta. Edhe pse agjentët e Kremlinit kanë një histori të gjatë të operacioneve të tilla, dëshmitë e një përpjekjeje më agresive dhe të bashkërenduar ruse tani vetëm po shtohen.

Alarm në Evropë

"Ne besojmë se rreziku i akteve të sabotimit të kontrolluara nga shteti do të rritet ndjeshëm," tha Thomas Haldenwang, kreu i inteligjencës së brendshme të Gjermanisë, muajin e kaluar.

Haldenwang foli disa ditë pasi dy shtetas gjermano-rusë u arrestuan në Bayreuth, Bavari, me akuzën e komplotit për të sulmuar vendet ushtarake dhe logjistike në Gjermani në emër të Moskës.

Një zyrtar i lartë i qeverisë evropiane i tha “Financial Times” se, nëpërmjet shërbimeve të sigurisë së NATO-s, vendet anëtare po ndajnë informacione me njëri-tjetrin në lidhje me keqbërjen e koordinuar.

NATO, jo për t'u habitur, lëshoi një deklaratë për të shprehur shqetësimin e saj të thellë mbi "aktivitetet malinje" në rritje të Rusisë në territorin aleat, duke përmendur atë që e quajti një "fushatë të intensifikuar në të gjithë zonën euro-atlantike" .

Episodet shqetësuese

Ka episode të ndryshme që janë veçanërisht shqetësuese. Në fund të prillit, dy burra në Mbretërinë e Bashkuar u akuzuan për ndezjen e zjarrit në një magazinë që përmbante dërgesa ndihme për Ukrainën. Prokurori anglez i akuzoi ata se punonin për qeverinë ruse. Në Suedi, shërbimet e sigurisë po hetojnë një sërë daljesh nga shinat e fundit të trenit, për të cilat ata dyshojnë se mund të jenë akte sabotimi të mbështetur nga një shtet i huaj. Duke marrë parasysh që ministri i Transportit i Republikës Çeke deklaroi se Rusia do të përpiqet të shkatërrojë sistemet e sinjalizimit të hekurudhave, dyshimet e Stokholmit bien mbi Moskën.

Në Estoni, në shkurt, makina e ministrit të Brendshëm dhe ajo e gazetarëve u bastisën nga agjentë të inteligjencës ruse. Ministria franceze e Mbrojtjes paralajmëroi gjithashtu për sulme të mundshme sabotuese. Prandaj, shërbimet e sigurisë të BE-së janë në gatishmëri dhe po përpiqen të bashkojnë pjesët e enigmës për të kuptuar se cilat objektiva mund të jenë goditur tashmë.

Janë ngritur pyetje, për shembull, në lidhje me një shpërthim të pashpjegueshëm deri më tani në një fabrikë municionesh BAE Systems në Uells, një fabrikë që furnizon predha të përdorura nga Ukraina, si dhe për zjarrin e madh që shpërtheu të premten e kaluar në një fabrikë në Berlin, në pronësi të kompanisë së armëve Diehl, e cila furnizon Kievin. 

Fushata e Rusisë

Metodat e Rusisë kanë evoluar. Bandat vrasëse që kanë “shëtitur” Evropën në dekadën e kaluar, objektivat e të cilëve përfshinin Sergei Skripal në Salisbury në 2018, përbëheshin nga oficerë ushtarakë dhe inteligjencë ruse.  

Tani, modeli i sulmeve, duke përfshirë sulmin e fundit me zjarrvënie në MB, tregon se Rusia po rekruton profesionistë të pavarur për të vepruar në emër të tyre. Kjo mund të jetë për shkak se njerëzit e saj identifikohen shumë lehtë, ose janë shumë të zënë pas linjave në Ukrainë. Por modeli tregon atë që dihet prej kohësh: se Rusia mund të gjejë gjithmonë individë të paskrupull për të sulmuar vendet e tyre në emër të Moskës.

Ndërkohë që është inkurajuese të shohësh reagime, Perëndimi duhet të përgatitet për shumë raste më tronditëse që do të dëgjohen, ndërsa fushata e Rusisë vazhdon.

Franca kërkon armëpushim të dyfishtë në Ukrainë dhe Gaza, çfarë fshihet pas takimit të Macron me Xi Jinping, ja posti që po kërkon të fitojë presidenti francez përmes “pazareve të fshehta”

Emmanuel Macron është më aktiv se kurrë, brenda dhe jashtë Evropës. Madje deklaratat dhe lëvizjet e tij kanë bërë jehonë në gjithë botën, dhe jo pa arsye.

Së fundmi ai ka pritur presidentin kinez Xi Jinping në Paris, ka telefonuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, duke e ftuar atë të përfundojë negociatat me Hamasin  dhe të shmangë ofensivën në Rafah.

Gjithashtu ditët e fundit ka shkaktuar tension shumë serioz ndërkombëtar duke "kërcënuar" Moskën të dërgojë ushtarë evropianë në Ukrainë.

Shumë do të mendonin që ai po sillet si zakonisht, thjesht duke bërë detyrën, por sipas mediave italiane, aktivizimi i Emmanuel Macron, edhe përmes deklaratave të dyshimta, do të fshihte një objektiv shumë më prozaik sesa “vendosja e Francës në qendër të Evropës dhe botës”, gjë që do të ishte gjithashtu e rrezikshme në kontekstin aktual. 

KE si “shënjestër”

Siç shkruan “La Stampa”, Macron po bëmn gjithçka për një qëllim shumë më personal, pothuajse një përdorim privat të politikës dhe diplomacisë: presidenti francez synon të marrë për vete Këshillin Evropian. Dhe e vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të bëjë një deklaratë të bujshme me zë të lartë, të hapë të gjitha kartat në tavolinat ndërkombëtare.

Këto lëvizje, vijnë edhe për shkak se edhe në nivelin e brendshëm, gjërat nuk po shkojnë mirë për liderin e qendrës së majtë. "I kapërcyer nga Marine Le Pen dhe i ndjekur nga socialisti Glucksmann, presidenti po kërkon hapësirë politike”, vëren gazeta e Torinos. “Aktivizmi në Ukrainë është funksional për të rifituar vendin e Francës. Dhe për t'u ngjitur, në fakt, në Këshillin Evropian”, shkruan “La Stampa”.

Të njëjtat fjali shumë të kontestuara për ushtarët evropianë në Ukrainë, sipas gazetarit të “La Stampa”, Alessandro Barbera, do të ishin instrumentale për "përtëritjen e liberalëve". Dhe në këtë pikë s’ka rëndësi, nëse Elysee rrezikon të ndezë një luftë midis Rusisë dhe Evropës.

Vizita e Xi Jinping

Në këtë kuptim, vizita e parë e Xi në Evropë që nga viti 2019 është domethënëse: presidenti kinez do të ketë me Macron "një shkëmbim të thelluar pikëpamjesh mbi zhvillimin e marrëdhënieve Kinë-Francë dhe Kinë-BE, si dhe mbi tema të rëndësishme aktuale ndërkombëtare dhe çështjet rajonale”, siç thuhet nga lideri i Pekinit në një deklaratë të publikuar nga transmetuesi CCTV.  

Presidenti kinez mbërriti në Paris dje për një vizitë dyditore që do të nisë një turne të ri evropian. Në aeroportin Orly ai u prit nga kryeministri Gabriel Attal . Xi do të takohet me presidentin francez Macron për të diskutuar çështjet tregtare dhe gjeopolitike, veçanërisht në lidhje me luftën në Ukrainë. Në fakt, dosjet më të nxehta në tryezë janë tre: konflikti në Ukrainë dhe Rripin e Gazës, përveç çështjes ekonomike që ka të bëjë me makinat elektrike të prodhuara në Kinë, mbi të cilat varen marrëdhëniet me Brukselin.

Armëpushimi i dyfishtë

Kreu i Elysee synon të gjejë një armëpushim të dyfishtë , si në Ukrainë ashtu edhe në Gaza, dhe për ta arritur këtë ai do të përpiqet të bindë Xi-n që të sjellë Kinën në terren. Me pak fjalë, Macron shpreson të zhbllokojë situatën në Ukrainë duke vënë në pikëpyetje Xi. Dhe, me sa duket, edhe për të lehtësuar presionin në Gaza.

Këtu Kina mund ta mbajë disi larg Iranin, si dhe të shpenzojë ndikimin e saj diplomatik për të ndërmjetësuar, të paktën në mënyrë indirekte, një marrëveshje midis Izraelit dhe Hamasit, për të arritur armëpushimin e dyfishtë të shpresuar nga Elysee. Megjithatë, do të jetë e nevojshme të kuptohet, ndërkohë, nëse Xi do të dëshirojë t'i afrohet një Perëndimi që nuk është frenuar gjithmonë në sulmin ndaj Kinës në fusha të tilla si Tajvani, të drejtat e njeriut dhe konkurrenca ekonomike.

Pas kësaj, duke supozuar se lideri kinez është i gatshëm të luajë së bashku me Macron, është e arsyeshme të supozohet se Pekini do të ngrejë çështjen e makinave elektrike.

Në fakt, Kina e konsideron ende Parisin përgjegjës për hetimet për subvencionet për automjetet elektrike kineze. Kush e di, lehtësimi në këtë front mund të lejojë Macron të bëjë përparim në Ukrainë dhe Gaza.

Moska planifikon nisjen e stërvitjeve taktike bërthamore, reagon menjëherë Ukraina dhe zbulon skenarin e Putinit

Ukraina ka reaguar në lidhje me planet e Moskës për të nisur stërvitje taktike ushtarake ë cilat përfshijnë edhe armët bërthamore, nuk janë gjë tjetër veçse një shantazh i vazhdueshëm bërthamor.

“Ne nuk shohim asgjë të re këtu, përveç efektit të informacionit dhe deklaratave… Shantazhi bërthamor është një praktikë e vazhdueshme e regjimit të Putinit”, tha Andriy Yusov për televizionin kombëtar.

Sipas Kremlinit stërvitja synon të ruajë nivelin e përgatitjes të ushtrisë dhe të sigurojë integritetin territorial dhe sovranitetin e Rusisë pas deklaratave provokuese dhe kërcënimeve nga disa zyrtarë perëndimorë kundër Federatës Ruse.

Rusia ka arsenalin më të madh në botë të armëve bërthamore.

Kuleba: Evropa është në një garë të re armësh, ne duhet ta fitojmë atë

Evropa është në një garë të re armatimesh dhe e vetmja gjë që mund të bëhet është ta fitojmë atë, në vend që të pretendojmë se nuk ekziston. Këtë e theksoi ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba, në një videokonferencë në Bruksel që bashkon industritë e mbrojtjes evropiane dhe ukrainase.

“Për gati një vit e gjysmë i kam kërkuar industrive të mbrojtjes dhe qeverive të BE-së të rrisin prodhimin. Nëse duam të ruajmë paqen në Bashkimin Evropian ne duhet të kalojmë në një ekonomi dhe industri evropiane të kohës së luftës, sado paradoksale të duket.

Kjo nuk është dëshira jonë. Dekada pas Luftës së Dytë Botërore, të gjithë ne në Evropë shpresonim se kontinenti ynë do të ishte i qetë përgjithmonë.“, tha ai.

“Jemi në një garë me kohën: Më vjen keq ta them, por ne jemi tashmë në një garë të re armatimesh, pavarësisht nëse e kuptojmë apo jo, na pëlqen apo jo. Ajo që ne mund të bëjmë është ta fitojmë atë dhe të pengojmë një Rusi agresive, duke demonstruar se Evropa ka mjetet për të mbrojtur veten”, përfundon ai.

Kongresmeni demokrat si Macron: SHBA mund të dërgojë trupa në Ukrainë

“SHBA mund të vendosë trupa në Ukrainë nëse Kievi pëson një kolaps të plotë kundër Rusisë”.

Kështu ka deklaruar kongresmeni Hakeem Jeffries, i cili është kreu i pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve.

Në një intervistë për CBS News, ligjvënësi i lartë demokrat theksoi urgjencën e dërgimit të ndihmës ushtarake në Ukrainë, duke pretenduar se nëse këto përpjekje dështojnë, SHBA-ja potencialisht do të duhet të ndërhyjë drejtpërdrejt në konflikt.

“Ne nuk mund ta lëmë Ukrainën të bjerë, sepse nëse bie, atëherë ka një gjasë të konsiderueshme që Amerika do të duhet të futet në konflikt, jo thjesht me paratë tona, por me mjetet tona ushtrake dhe ushtarakët tanë”, tha Jeffries.

Megjithatë, ky qëndrim bie ndesh me politikën e kahershme të presidentit amerikan Joe Biden, i cili përsëriti muajin e kaluar se ishte “i vendosur” të mos dërgonte trupa amerikane në Ukrainë, pas vrullit të reagimeve që krijoi deklarata e Presidenti francez Emmanuel Macron për të dërguar ushtarë në Kiev.

Edhe javën e kaluar, Macron sugjeroi se kombet perëndimore “do të duhej të pyesnin veten e tyre në mënyrë legjitime” nëse duhet të dislokonin ushtrinë në Ukrainë, “nëse rusët do të kalonin vijën e frontit, dhe nëse do të kishte një kërkesë ukrainase për ndihmë”.

Jeffries ndërkohë, vuri në dukje se Kievi deri më tani nuk kishte kërkuar ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake nga Uashingtoni, duke shprehur besimin se mund të fitonte luftën nëse SHBA-të “qëndrojnë me Ukrainën dhe i sigurojnë armët që i nevojiten për t’u mbrojtur”.

Sipas tij përpjekjet e SHBA për të mbështetur Ukrainën përmes Kongresit, që ka shtyrë paketën e re të ndihmave prej 61 miliardë dollarë, janë penguar nga ajo që ai e konsideroi një “fraksion pro-Putin” brenda Partisë Republikane.

Ai veçoi kongresmenin republikane Marjorie Taylor Greene, e cila ka bërë thirrje që fondet të përdoren për nevojat e brendshme, në vend që të dërgohen në Ukrainë.

Rusia sulmon Sumin e Ukrainës me dronë e artileri

Rusia sulmoi rajonin Sumi të Ukrainës me dronë dhe artileri gjatë natës, thanë Forcat Ajrore të Ukrainës dhe administrata ushtarake e rajonit verilindor.

Rajoni u granatua tetë herë, shkroi administrata në Telegram, duke shtuar se nuk ka raporte për viktima.

Forcat Ajrore thanë se kanë rrëzuar 12 nga 13 dronët e nisur nga Rusia në drejtim të infrastrukturës energjetike në Sumi.

Administrata rajonale tha se furnizimi me energji elektrike është ndërprerë përkohësisht në rajonet Sumi, Romni dhe Okhtirka.

Më 17 prill, ministri i Punëve të Brendshme i Ukrainës, Ihor Klymenko, ka thënë se që nga fillimi i vitit 2024, “trupat ruse kanë granatuar rajonin e Sumit më shumë se katër mijë herë”.

Për më tepër, ushtria ukrainase raporton vazhdimisht për zbulimin e grupeve të sabotimit dhe të inteligjencës ruse në rajonin Sumi.

Pavarësisht provave dhe dëshmive, Moska mohon se në shënjestër të sulmeve të saj janë objektivat civile.

Rusia ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Në përgjigje, Perëndimi ka ndërmarrë një varg sanksionesh kundër saj, ndërsa Ukrainën është duke e ndihmuar me armatim./rel

Mandati i ri i Putinit, një epokë me fuqi të jashtëzakonshme

Vetëm disa muaj para se të bëhet një çerek shekulli si udhëheqës i Rusisë, Vladimir Putin, të martën, më 7 maj, do të vendosë dorën mbi një kopje të Kushtetutës dhe do të nisë një mandat tjetër gjashtëvjeçar si president me fuqi të jashtëzakonshme.

Që kur u bë president në detyrë në ditën e fundit të vitit 1999, Putin e ka formësuar Rusinë në një monolit – duke shtypur opozitën politike, duke dëbuar nga shteti gazetarët e pavarur dhe duke promovuar një përkushtim në rritje ndaj “vlerave tradicionale” që shumë pjesëtarë të shoqërisë i shtyjnë në limite.

Ndikimi i tij është aq dominues sa zyrtarët e tjerë qëndruan jashtë vendimmarrjes kur ai vendosi të niste luftën kundër Ukrainës, pavarësisht pritjeve se pushtimi i shtetit fqinj do të sillte përbuzje ndërkombëtare dhe sanksione të ashpra ekonomike, si dhe që Rusia do të paguante çmim të lartë me gjakun e ushtarëve të saj.

Me këtë nivel pushteti, çfarë do të bëjë Putini me mandatin e tij të ri është pyetja më e rëndësishme që bëhet brenda Rusisë dhe jashtë saj.

Lufta në Ukrainë, ku Rusia po shënon përparim në fushëbetejë, është shqetësimi kryesor dhe Putini nuk po shfaq asnjë shenjë se do të ketë ndryshim të kahes.

“Lufta në Ukrainë është në qendër të projektit aktual politik të tij dhe nuk shoh asgjë që sugjeron se kjo do të ndryshojë. Dhe kjo ndikon te të gjitha gjërat e tjera”, tha për Associated Press, Brian Taylor, profesor në Universitetin Syracuse dhe autor i librit “Kodi i Putinizmit”.

“Ndikon se kush është në çfarë pozicioni, ndikon në burimet që janë të disponueshme dhe ndikon në ekonomi si dhe në nivelin e represionit brenda shtetit”, shtoi ai.

Gjatë fjalimit drejtuar kombit të mbajtur në shkurt, Putin u zotua se do të përmbushë synimet e Moskës në Ukrainë dhe do të bëjë gjithçka që është e nevojshme “për të mbrojtur sovranitetin tonë dhe sigurinë e qytetarëve tanë”. Ai pretendoi se ushtria ruse “ka fituar përvojë të madhe luftarake” dhe “ka iniciativën si dhe po kryen ofensiva në një numër sektorësh”.

Por, lufta ka çmim të lartë dhe paratë dedikuar luftës mund të shpenzoheshin për projekte të tjera brenda shtetit dhe në reformat në arsim, mirëqenie e luftë kundër varfërisë, tema që Putini i përdori si pjesë të fjalimit të tij prej dy orësh dhe këto probleme ai i shtjelloi në detaje.

Taylor sugjeroi se projekte të tilla u përfshin në fjalimin e Putinit vetëm sa për “show”, dhe ato nuk pritet të zbatohen.

Putin “e mendon veten në terma të mëdhenj historikë të tokave ruse, duke e rikthyer Ukrainën aty ku e ka vendin, pra ka këso lloje idesh. Dhe unë mendoj se këto ide janë përtej programeve të tipit socio-ekonomik”, tha Taylor.

Nëse lufta do të përfundonte me humbjen e plotë nga cilado palë, me Rusinë që do të mund të ruante një pjesë të territorit që ka pushtuar tashmë, vendet evropiane kanë frikë se Putini mund të inkurajohet drejt aventurizmit të mëtejmë ushtarak në Baltik apo në Poloni.

Ka mundësi që Putini ka ambicie të mëdha dhe do të përpiqet që të ndjekë suksesin e kushtueshëm në Ukrainë, duke kryer një sulm të ri diku tjetër”, shkroi në revistën Foreign Policy, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Harvardit, Spehen Walt. “Por, është po ashtu plotësisht e mundshme që ambiciet e tij të mos shtrihen përtej asaj që Rusia ka fituar me një kosto të jashtëzakonshme dhe ai nuk ka nevojë apo dëshirë të rrezikojë më shumë”.

Por, Walt shtoi se “Rusia nuk të jetë në gjendje që të nisë luftëra të reja të agresionit kur më të fund të përfundojë lufta në Ukrainë”.

Por, një shqetësim i tillë racional të tjerët thonë se nuk mund të qëndrojë. Maksim Samorukov nga Qendra Carnegie për Rusi dhe Euroazi, tha se “e shtyrë nga tekat dhe mania e Putinit, Moska ka të ngjarë të kryejë veprime vetëshkatërruese”.

Në një koment për Foreign Affairs, Samorukov sugjeroi se mosha e Putinit mund të ndikojë në gjykimin e tij.

“Në moshën 71-vjeçare... ndërgjegjësimi i tij për vdekshmërinë e tij me siguri që ndikon në vendimmarrjen e tij. Një ndiejnë në rritje për kohën e tij të kufizuar, pa dyshim që kontribuoi në vendimin e tij fatal për ta pushtuar Ukrainën”.

Në përgjithësi, Putini mund të futet në mandatin e tij me një kontroll më të dobët ndaj pushtetit sesa duket që e ka.

“Dobësitë” e Rusisë “fshihen para syve. Tani më shumë se kurrë Kremlini merr vendime në një mënyrë të personalizuar dhe arbitrare”, shkroi Samorukov.

“Elita politike ruse është bërë më e durueshme në zbatimin e urdhrave të Putinit dhe është bërë më e bindur ndaj pikëpamjes së tij paranojake”, shkroi ai. Regjimi “është në rrezik të përhershëm që të rrënohet brenda natës, siç bëri paraardhësi i tij sovjetik tri dekada më parë”.

Putin sigurisht që do të vazhdojë armiqësinë e tij ndaj Perëndimit, për të cilin, gjatë fjalimit drejtuar kombit tha se “dëshiron t’i bëjë Rusisë të njëjtën gjë që ua ka bërë shumë rajoneve të tjera të botës, përfshirë Ukrainës: të përçajë vendin tonë, ta dobësojë nga brenda”.

Rezistenca e Putinit ndaj Perëndimit manifestohet jo vetëm me zemërimin për mbështetjen që Perëndimi i jep Ukrainës, por edhe për atë që udhëheqësi rus e sheh si minim të moralit të Rusisë.

Vitin e kaluar, Rusia ndaloi një “lëvizje” kombëtare LGBTQ+, duke deklaruar se kjo lëvizje ishte ekstremiste. Zyrtarët thanë se me ndalimin e “lëvizjes” ata po luftonin për vlerat tradicionale – sikurse ato që përkrahen nga Kisha Ortodokse Ruse – përballë ndikimit perëndimor. Gjykatat ruse po ashtu ndaluan ndryshimin e gjinisë.

“Pres që roli i Kishës Ortodokse Ruse të vazhdojë të jetë shumë i dukshëm”, tha Taylor. Ai po ashtu kujtoi zemërimin që u shkaktua pasi në një festë të organizuar nga prezantuesja televizive, Anastasia Ivleeva, të ftuarve u ishte kërkuar që të shkonin “pothuajse të zhveshur”.

“Aktorët e tjerë në sistem e kuptojnë se këto gjëra rezonojnë me Putinin... Ka njerëz që janë të interesuar që t’i shfrytëzojnë këto gjëra”, tha ai.

Edhe pse opozita dhe mediat e pavarura pothuajse janë zhdukur plotësisht për shkak të masave shtypëse gjatë sundimit të Putinit, ende ka mundësi për lëvizje të mëtejme për të kontrolluar hapësirën e informacionit të Rusisë, përfshirë edhe me shtyrjen përpara të përpjekjeve të shtetit rus për të krijuar një “internet sovran”.

Inaugurimi i Putinit si president do të ndodhë dy ditë para Ditës së Fitores, festës më të rëndësishme laike në Rusi, që përkujton pushtimin e Berlinit nga Ushtria e Kuqe sovjetike në Luftën e Dytë Botërore dhe vështirësitë e jashtëzakonshme të luftës, në të cilin Bashkimi Sovjetik humbi afër 20 milionë njerëz.

Mposhtja e Gjermanisë Naziste është pjesë integrale e identitetit modern të Rusisë dhe e justifikimit të Putinit për luftën në Ukrainë, duke thënë se dy ngjarjet ishin të ngjashme./REL

Avancon ushtria e Zelenskyt: Nga 24 sulme me dronë rusë në vijat e frontit, Ukraina rrëzon 23 prej tyre

Nëntëdhjetë e pesë sulme janë regjistruar në linjat e fronteve ukrainase gjatë 24 orëve të fundit, me ushtrinë e Ukrainës që zmbrapsi shumicën e sulmeve të armikut.

Kjo u konfirmua nga Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës në një përditësim të situatës.

Sipas shtabit, forcat ruse kanë sulmuar Ukrainën me 24 drone Shahed, 23 prej të cilëve i ka rrëzuar mbrojtja ajrore ukrainase, shkruajnë mediat e huaja.

Edhe pse shumica e vendbanimeve janë sulmuar, ushtria e Volodymyr Zelenskyt me anë të ndihmave ushtarake të aleatëve po përparon në vijën e frontit.

Në të njëjtën kohë, shtabi ka njoftuar se ushtarët e Ukrainës kanë vazhduar t’i shkaktojnë rusëve humbje në trupa dhe mjete luftarake.

Ndryshe, së fundmi aeroplanët ukrainas kanë goditur shtatë zona të përqendrimit të trupave armike, tre sisteme raketore anti-ajrore dhe një depo municioni.

Gjithashtu, ata kanë shkatërruar edhe një raketë Kh-59/69. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat