“Marrëveshje e Belfastit” e përmendur nga emisari britanik nuk gjen përkrahje – ja pse nuk duhet ta pranojë Kosova!

Politika

“Marrëveshje e Belfastit” e përmendur nga emisari britanik nuk gjen përkrahje – ja pse nuk duhet ta pranojë Kosova!

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 5 mars 2024 Në ora: 08:05
Stuart Peach

Bisedime, takime dhe deklarata të shumta përgjatë viteve që nga fillimi i dialogut Kosovë – Serbi para 13 vitesh.

Por, një marrëveshje finale mes dy palëve duket të jetë larg.

Të shqetësuar e njëkohësisht të përkushtuar për dialogun vazhdojnë të jenë ndërkombëtarët.

E së fundmi mori vëmendjen deklarata e emisarit britanik, Stuart Peach.

Emisari i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, në një intervistë ka folur për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Peach ka thënë se Britania e Madhe e përkrah dialogun dhe se procesi duhet të shkojë drejt krijimit të një ardhmeje multietnike dhe respektit të ndërsjellë.

I pyetur se si duhet të duket procesi i dialogut, Peach ka thënë se shembull i mirë për këtë është Marrëveshja e Belfastit apo që njihet ndryshe si “Marrëveshja e të Premtes së Mirë”, marrëveshje që mundësoi paqen në Irlandë të Veriut para 25 vitesh.

Peach ka thënë se kjo marrëveshje është një mësim i mirë për pajtim, pasi palët kishin bërë lëshime dhe negociata.

Dhe ky është një mësim i mirë për pajtim. Bëhet fjalë për lëshime, ka të bëjë me negociata, por mbi të gjitha ka të bëjë me vazhdimin e dialogut”, ka thënë Peach.

Burjani: Kjo marrëveshje nuk mund të aplikohet për shkak se plotësisht mund të ketë ndryshime demografike

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur juristi Blerim Burjani.

Image
Blerim Burjani

Ai u shpreh se “Marrëveshja e Belfast”, nuk përngjan me rastin e Kosovës dhe Serbisë.

Sipas tij, Kosova nuk ka kontest etnik me Serbinë, komunat veriore janë pjesë integrale e Kosovës.

‘Se besoj, pasi që rasti i Kosovës është plotësisht ndryshe, andaj kjo marrëveshje ka specifika tjera. Diçka nga ajo marrëveshje do të mund aplikohej, por jo, megjithatë këmbënguli se kjo marrëveshje nuk mund të aplikohet për shkak se plotësisht mund të ketë ndryshime demografike, territoriale apo politike. Aplikimi i kësaj do të legalizonte Serbinë në Kosovë, çështja e komunave të vogla veriore të Kosovës dhe komunat tjera serbe në Kosovë do të kishin statusin dyfish edhe Kosovë. Por Serbia do të kishte të drejta te konsiderueshme për serbët në territorin serb në Kosovë. Dallimet në mes së Premtes së Mirë si është quajt Marrëveshja Belfastit janë të ndryshme plotësisht, Kosova nuk ka kontest etnik me Serbinë, komunat veriore janë pjesë integrale e Kosovës, pakica serbe në Kosovë është vetëm 4%. Situata nuk është identike”, u shpreh ai.

Juristi më tej thekson që Kosova duhet të normalizoj raportet mirëpo jo të pranoj një lloj Marrëveshje të tillë.

Me këtë marrëveshje Serbia do të kishte një lloj bashkëpronësie të përhershme me territoret serbe në Kosovë. Kjo do të ishte e papranueshme, kjo duket të jetë shumë e komplikuar, Kosova duhet të normalizoj raportet dhe pse problemet nuk janë tek të drejtat që gëzojnë serbët në Kosovë por tek zbatimit të drejtave që i kanë përmes  Kushtetutës së Kosovës”, foli Burjani për “Bota sot”.

Haziri: Kosova nuk ka pse të heqë dorë nga plani i ashtuquajtur franko-gjerman

Image
Nexhat Haziri

Ndërsa analisti politik, Nexhat Haziri në një bashkëbisedim me “Bota sot”, është shprehur gjithashtu se “Marrëveshja e Belfastit”, nuk është e përshtatshme për Kosovën dhe Serbinë.

Përkundër shembujve që japin partnerët e Kosovës në këtë rast Britania e madhe dhe emisari britanik që përmend shembullin e marrëveshjes së Belfastit e njohur edhe si marrëveshja e të “Premtes së mirë” ne Irlanden veriore në vitin 1998, nuk mendoj se është edhe zgjidhje e problemeve të Kosovës me Serbinë.  Përkundër që serbët e Kosovës po e kundërshtojnë pranimin e shtetit të Kosovës, kjo e fundit nuk mund të thuhet se po dialogun me komunitetin pakicë, por me Serbinë, kështu që ky proces është në mes dy shteteve për normalizim të raporteve ndërmjet tyre si dy shtete të pavarura dhe ky duhet të jetë fokusimi i Kosovës”, tha ai.

Analisti më tej thekson që është humbje kohe që tani gjithçka të nisë nga pika zero apo nga fillimi për të eksperimentuar me plane të reja e shembuj të tjerë.

Andaj Kosova nuk ka pse të heqë dorë nga plani i ashtuquajtur franko-gjerman mbi bazën e së cilit janë marrëveshjet e dakorduara në mes Kosovës dhe Serbisë siç është marrëveshja e brukselit dhe konsekuimi i saj në Ohër, që paraqet bazë të mirë që raportet në mes Kosovës dhe Serbisë të marrin një normalitet të dy shteteve fqinje. Është humbje kohe që tani gjithçka të nisë nga pika zero apo nga fillimi për të eksperimentuar me plane të reja e shembuj të tjerë, dhe kjo nuk do t'i konvenonte Kosovës pasi tashmë ne kemi ngecur mjaftë në proceset integruese euro-atlantike, dhe shmangia nga procesi i dialogut me Serbinë me ndërmjetësimin e BE-së nuk do t'na bënte mirë”, përfundoi Haziri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat