Rusisë nuk i shkoi plani siç e “mendoi”, dështoi dy herë – ja si tentoi ta sulmojë SHBA-në për ndërhyrjen në Kosovë

Politika

Rusisë nuk i shkoi plani siç e “mendoi”, dështoi dy herë – ja si tentoi ta sulmojë SHBA-në për ndërhyrjen në Kosovë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 30 mars 2024 Në ora: 22:02
Ilustrim

Rusia njihet për afërsinë dhe raportet e ngushta me Serbinë, ku kohë pas kohe sulmojnë dhe provokojnë Kosovën, derisa për qëllim kanë nxitjen e një konflikti në Ballkan, kjo për ta larguar vëmendjen nga Ukraina.

Së fundi, Rusia dështoi në përpjekjen e dytë për të mbajtur një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohej rreth fushatës së bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, që i dhanë fund luftës në Kosovë.

Pas dështimit të së hënës për një seancë të tillë, mbajtja e së cilës u pamundësua meqë 12 vende anëtare nuk votuan për kërkesën e Moskës, të enjten Rusia sërish shtroi kërkesë për debat me temën "ruajtja e paqes dhe qëndrueshmërisë ndërkombëtare". Kësaj radhe ishin 9 vende anëtare që nuk votuan në favor të debatit.

Mbajtja e një debati kërkon votë procedurale dhe për t’u miratuar rendi i duhet mbështetja e 9 nga 15 vendet anëtare të Këshillit të Sigurimit.

Ambasadori francez Nicolas de Riviere, tha të enjten se Këshilli i Sigurimit “është këtu për të debatuar krizat aktuale por nuk është forum për debate historike”.

Përfaqësuesi rus, Dmitry Polyanskiy. tha se Franca, Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuara “nuk duan të diskutojnë agresionin ndaj ish Jugosllavisë”, ndërsa përsëriti se “situata në Kosovë po përkeqësohet”.

E gjithë kjo përpjekje e Rusisë për ta sulmuar SHBA-në dhe Kosovën, duket se lidhet me qëllimin për ta arsyetuar agresion që po e ushtron në Ukrainë.

Softa: Në këto momente të vështira për të, po bën luftë hibride, është dora e tyre pas të ashtuquajturit sulm terrorist

Image
Fatjon Softa

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa në një prononcim për “Bota sot” u shpreh se Rusia duke sulmuar SHBA-në për ndërhyrjen në Kosovë, tenton ta arsyetojë agresionin në Ukrainë.

Gjithashtu, ai përmendi edhe raportet Rusi-Serbi dhe investimet politike e financiare.

“Rusia e ka konsideruar ish Jugosllavinë, zonën e saj të influencës dhe Serbia është baza e saj mbështetëse për politikat dhe synimet e saj në Ballkan. Raportet e saj me Malin e Zi dhe Serbinë, janë investime politike dhe financiare. Kosova është një përplasje direkte e interesave të SHBA dhe Rusise, humbja e Kosovës dhe zgjerimi i NATO-s në Kosovë dhe Maqedoni, e dobëson shumë Serbinë dhe e zbeh rolin e saj si dhe zvogëlon influencat e Rusisë.

Rusia synon të justifikoj agresionin në Ukrainë, duke sulmuar në Këshillin e Sigurimit, SHBA-në për ndërhyrje në Kosovë”, theksoi eksperti i sigurisë.

Tutje, Softa i ndërlidhi këto përpjekje të Rusisë, me sulmin terrorist në Moskë dhe luftën të cilën po e realizon shteti i Putinit.

Derisa, tha se avancimi i i Kosoves drejt KiE e ka prishur “qetesinë” e Serbisë dhe Rusisë.

“Në këto momente të vështira për të, po bën luftë hibride, është dora e tyre pas të ashtuquajturit sulm terrorist.

Në çdo sulm terrorist, janë qëlluar autorët ose janë hedhur në erë si kamikazë, modeli i ISIS,

Serbia tani po hyn në mes të përplasjeve të fuqive të mëdha.

Avancimi i Kosoves drejt KiE e ka prishur “qetesinë” dhe të qenurit të privilegjuar të Serbisë”, përfundoi Fatjon Softa për “Bota sot”.

Shabani: Çdo tentim agresioni nga Serbia, mbështetet nga Rusia

Image
Amir Shabani

E në lidhje me këtë temë për gazetën “Bota sot” foli edhe njohësi i marrëdhënieve ndërkombëtare, Amir Shabani,

Se pari, ai përmbledhi dy tentativat e shtetit rus për mbledhje të KS të OKB-së, derisa përmendi edhe kundërshtimin e SHBA-së në lidhje me këtë çështje.

“Rusia ka bërë përpjekje për një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ku do të diskutohej për fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999, e cila i dha fund luftës në Kosovë.

Pas dështimit të së hënës për të mbajtur një seancë të tillë, e cila u pamundësua pasi 12 vende anëtare nuk votuan për kërkesën e Moskës, Rusia kërkoi sërish një debat mbi temën "Ruajtja e Paqes dhe Stabilitetit ndërkombëtar", ku kërkesa i dështoi sërish.

Përfaqësuesi i SHBA-së në OKB, Robert Wood, akuzoi Rusinë se po përpiqet të përdorë përvjetorin e ndërhyrjes së NATO-s për të përhapur propagandën e saj dhe për të nxitur tensionet rajonale në Ballkanin Perëndimor. Qëndrimi amerikan është se ndërhyrja ishte veprim i domosdoshëm dhe ligjor për t'i dhënë fund spastrimit etnik në Kosovë”.

Krahas kësaj, Shabani këtë gjë e ndërlidhi me raportet e ngushta të Rusisë me Serbinë, ku tha se në anën tjetër Kosova gëzon aleatë dhe raporte të ngushta me SHBA-në dhe BE-në.

“Si rrjedhojë e kësaj, nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s, Kosova shpalli pavarësinë e saj me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore perëndimore, ndërsa Serbia, e mbështetur nga Rusia, kundërshton shtetësinë e saj edhe në ditët e sotshme. Serbia mban lidhje të ngushta me Moskën dhe nuk i është bashkuar sanksioneve perëndimore kundër saj për agresionin e saj në Ukrainë, kryesisht për shkak të mbështetjes së Kremlinit për pretendimet e Beogradit mbi Kosovën”.

Në fund, potencoi se çdo gjë është tani e qartë se të gjitha kërcënimet e Serbisë dhe provokimet për një konflikt të ri, janë të mbështetura nga Rusia.

“Tani më është më se e qartë se çdo tentim agresioni dhe konflikti në Ballkanin Perëndimor apo gjegjësisht në Kosovë nga ana e Serbisë, është pikërisht e mbështetur dhe "sponzorizuar" nga Rusia. Kështu që, anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare është i domosdoshëm, sidomos edhe në NATO, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe stabilitetit në rajon dhe parandalimin e çdo lloj konflikti të mundshëm nga Serbia me përkrahjen e linjës ruse”, përmbylli Amir Shabani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat