FMN: I drejtë taksimi i profesionistëve të lirë në Shqipëri, institucionet të koordinojnë zbatimin

Shqipëria

FMN: I drejtë taksimi i profesionistëve të lirë në Shqipëri, institucionet të koordinojnë zbatimin

Më: 7 maj 2024 Në ora: 12:46
Foto ilustrim

Shefja e Misionit të Fondit Monetar (FMN), Anke Weber ka folur për ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili prej janarit të këtij viti ka përfshirë në skemë edhe profesionistët e lirë, ndërsa nga 2029 do të përfshihen edhe bizneset e vogla.

Weber në një intervistë në media u shpreh se regjimi i mëparshëm të tatimit mbi të ardhurat evidentoi disa mangësi të rëndësishme.

“Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në vitet e fundit me përpjekjet e saj për të mbrojtur qëndrueshmërinë fiskale, e cila është thelbësore për stabilitetin makroekonomik dhe një rritje të qëndrueshme. Politika e kujdesshme fiskale ka bërë të munduar një përmirësim të vazhdueshëm në pozicionin fiskal të qeverisë dhe po ashtu një rënie të vazhdueshme të borxhit publik në raport me PBB-në, e cila tani qëndron nën nivelet e periudhës para pandemisë”, deklaroi Weber.

Në lidhje me ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, Weber thotë se pragje të ndryshme për të ardhurat nga punësimi dhe për të ardhurat nga biznesi rezultuan në një strukturë konfuze tatimore, me stimuj më të fortë, që tatimpaguesit të deklaronin të ardhurat e tyre si të ardhura nga aktivitetet e biznesit.

Ky boshllëk ishte një pasojë e paqëllimshme e dallimit midis mënyrës se si tatohen të ardhurat nga punësimi dhe biznesi dhe krijoi një situatë të padrejtë për punonjësit e tjerë.
Për të adresuar këto çështje, theksoi Weber, ligji “Për tatimin mbi të ardhurat” u ndryshua, me ndihmën dhe mbështetjen teknike të FMN-së, për të siguruar, që profesionistët e lirë do të tatohen në një mënyrë të krahasueshme me taksapaguesit e tjerë të punësuar.

Por, ajo shton se përvoja me zbatimin e ligjit të ri për tatimin mbi të ardhurat nxjerr në pah sfidat, që mund të shfaqen dhe të pengojnë zbatimin e qetë dhe në kohë të masave reformuese. Kjo nënvizon nevojën për të vazhduar përparimin me reformat e administrimit të të ardhurave, të cilat zakonisht kërkojnë një kohë të gjatë dhe koordinim të fortë ndërmjet agjencive të ndryshme zbatuese.

Shefja e FMN-së tha se ritmi i reformave të administrimit të të ardhurave duhet të përshpejtohet, veçanërisht në lidhje me një plan strategjik për Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve dhe përmirësimin e mbledhjes dhe përdorimit të të dhënave për të ndihmuar në forcimin e pajtueshmërisë, veçanërisht në rastin e sektorit të turizmit dhe të individëve të pasur.

Weber vuri në dukje se progres është bërë edhe në administrimin e të ardhurave. Për shembull, zbatimi i suksesshëm i fiskalizimit, ku bizneset tani raportojnë në mënyrë elektronike transaksionet në administratën tatimore, ka përmirësuar transparencën dhe mbledhjen e të ardhurave.

“Ka ende hapësirë për të shkuar më tej. Siç u diskutua në raportin e stafit të konsultimit të Nenit IV të FMN-së 2023, racionalizimi i mëtejshëm i normave, përjashtimeve dhe kufijve të TVSH-së do të përmirësonte mbledhjen e të ardhurave dhe eficiencë”, deklaroi Weber.

Për përfaqësuesen e FMN-së, është thelbësore, që Strategjia Afatmesme e të Ardhurave të finalizohet dhe miratohet sa më shpejt të jetë e mundur. “Kjo është veçanërisht kritike në kontekstin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimit Evropian dhe pajtueshmërisë më të gjerë me standardet e BE-së”, shtoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat